Reklamat online: Facebook, Google, LinkedIn, etj!

Nga: Elvis Plaku minuta lexim | 0 komente3323 lexime


Rishtazi po kontrolloja ecurinë e një fushate me reklama në Facebook për një klient dhe pashë që Facebook kishte nxjerrë një mesazh falenderimi me rastin e arritjes së mbi dy milion reklamuesve aktiv.

Aktualisht, Facebook ende nuk krahasohet dot me milionat e reklamuesve aktivë në platformat e Google (siç është Google Adwords, AdSense, DFP, etj.). Por, në këtë rast, Facebook ka treguar që reklamat në platformën e vet janë më konkurruese se ato në platformat e tjera, qoftë nga çmimi, qoftë nga aspekte të tjera si shënjestrimi (targetimi) sipas moshës, interesit, gjuhës, kombësisë, interesave, etj,. etj,.

Gjithashtu, duhet thënë se suksesi i Facebook është i kufizuar vetëm brenda platformës pasi në internetin e gjerë Google është kampion i padiskutueshëm dhe suksesi i vet do të mbetet i tillë për aq kohë sa njerëzit do vazhdojnë të përdorin, thuajse ekskluzivisht, motorin e vet të kërkimit për të gjetur ato çfarë kërkojnë në internet.

Aktualisht, tarifat e reklamimit në Google janë më të larta (CPM ose CPC, etj) krahasuar me ato brenda Facebook apo LinkedIn, por reklamimi online bëhet me kosto shumë më konkurruese se sa në mediat tradicionale siç janë televizioni, gazeta, revista, apo posterat dhe banerat e printuar, etj.

LinkedIn e ka përmirësuar gjithashtu mjaft sistemin e brendshëm të reklamimit dhe është një platformë mjaft e vyer për çdo profesionist apo biznes që synon të shënjestrojë klientët biznese dhe profesionistët në përgjithësi.

 

Reklamat në Google

Reklamimi në Google është optimal nëse audienca e synuar është e përgjithshme dhe ju dëshironi ta shfaqni reklamën tuaj te një gamë sa më e gjerë shikuesish në internet. Normalisht, në këtë rast ka edhe shumë firo pasi reklama juaj duhet t’i shfaqet një numri sa më të madh shikuesish dhe numri i atyre që do ta klikojnë është shumë i vogël, prandaj edhe duhet të siguroheni që ta shënjestroni sa më mirë sipas kritereve demografike të klientëve potencialë që dëshironi të arrini.

Por nëse arrini ta ri-shënjestroni (re-target) audiencën e faqes tuaj nëpërmjet (re-marketing), por kjo është disi më e vështirë për t’u arrirë nëse e keni për herë të parë.

 

Reklamat në Facebook

Facebook është shumë më i përparuar për sa i përket mundësive të shënjestrimit të reklamës tuaj te klientët potencialë që dëshironi, por në vartësi të biznesit apo fokusit tuaj, ka gjasa që edhe të gjithë klientët potencialë nuk janë në Facebook. Gjithsesi, Facebook ka një raport kthimi mbi investimin relativisht më të lartë se sa Google pasi është më e lirë për të reklamuar dhe më e sofistikuar në mënyrat e shënjestrimit.

Ka edhe mjaft teknika të tjera për ta nxjerrë reklamën tuaj te fansat e konkurrentit tuaj, apo reklamimi te klientët ekzistues kur bëhet fjalë për një fushatë me produkte/shërbime ekzistuese, etj.

 

Reklamat në LinkedIn

Nëse klientët tuaj potencialë janë profesionistë apo biznese/organizata, atëherë LinkedIn është platforma kryesore ku duhet të mendoni të reklamoni. Platforma e reklamimit në LinkedIn është zhvilluar më vonë se ajo në Facebook, por LinkedIn është shumë më përzgjedhës dhe i kujdesshëm në mënyrën se si i shfaq reklamat e veta te abonentët e platformës pasi edhe bëhet fjalë për profesionistë me interesa specifike dhe nuk kanë shumë kohë as tolerancë për foto kafshës shtëpiake siç ndodh rëndom në Facebook!

 

Reklamat në platforma të tjera reklamimi

Platforma të tjera mjaft interesante janë edhe Bing, Yahoo, Twitter, Tumblr, Pintrest, por nisur edhe nga përdorimi më i kufizuar nga shqiptarët, nuk po zgjerohem më tej në këtë shkrim.

Mirëpres pyetjet, sugjerimet dhe komentet e tjera që mund të keni. Gjithashtu, mos nguroni të më kontaktoni direkt nëse jeni të interesuar në ndonjë prej shërbimeve të lartpërmendura. Flm, Elvisi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Video: Si të shihni prirjen e kërkimeve me Google Trends

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Si të arrini një audiencë të lartë me një fushatë marketingu

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Testimi A/B: Si ta rrisni performancën e marketingut tuaj me metoda shkencore

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?

Ja pse mesazhet tuaja me email përfundojnë në SPAM?
>